Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj thotë se Kosova duhet të stopojë pjesëmarrjen në dialogun e Brukselit, derisa të ketë një rishikim strategjik të BE-së për këtë proces. Sipas saj, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, dhe atij në Banjskë vitin e kaluar, dialogu në kornizat aktuale duket i pakuptimtë.
Ajo nuk sheh diçka konkrete as në takimin e 17 dhjetorit që pritet të zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës nuk duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga Bashkimit Evropian, në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht insistimit të faktorit ndërkombëtar për diçka të tillë.
Duke folur për raportet me aleatë, ajo thotë se qeveria Kurti ka dëmtuar të njëjtat, mirëpo, sipas saj, jo pa riparim.