Haradinaj: Kosova dëshiron të hyjë në NATO, Kurti është gabim e mashtrues
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30 Ramush Haradinaj ka prezantuar kandidatët për deputetë që do të përfaqësojnë qytetarët e Rahovecit në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Haradinaj në fjalën e tij nuk ka lënë pa e kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit dhe planin aksional për aderimin direkt të Kosovës në NATO, duke thënë se me këtë do të ndryshojë edhe gjendja ekonomike në vend.

“Ju kam treguar për Kurtin, se është gabim, është mashtrues, se nuk është duke punuar për këtë vend, ndoshta edhe dikush ma ka zënë për të madhe, por nuk kam pasur çare, sepse për këtë vend kanë vdekur njerëz, kemi hequr shumë dhe duam të na rriten fëmijët në këtë vend dhe të bëhet si i ka hije. Kam punuar me kujdes duke parë se çka po ndodh, se si të dalim prej rrethimit në të cilin e ka shti Kurti Kosovën, dhe është vështirë sepse janë bërë palë një mbi një marrëveshjet ndërkombëtare, numër i madh i obligimeve dhe borxheve që ka marrë Kosova dhe jemi të sanksionuar... Kosova mund vetëm të thirret në NATO me planin aksional dhe unë kam hyrë në borxh për të kryer punë për të hyrë direkt në NATO...Ne iu themi amerikanëve, ne po duam të hyjmë në NATO dhe menjëherë ndryshon pozita jonë ekonomike”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i Rahovecit, njëherësh kryetar i Degës së AAK-së dhe kandidat për deputet, Smajl Latifi, ka akuzuar qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për degradim të vendit me veprimet e saj të gabuara.

“Nga 14 shkurti 2021, më falni për këto simbolika, shoku Zylo po shkëlqente kur po vinte me tërë ato alarme në pushtet. Ndryshimet e proklamuara me pompozitet nga qeveria aktuale nuk ka ndodhur gjatë këtyre viteve të qeverisjes... Sot vazhdojmë të shohim si çdo ditë në këto katër vite tendenca të qarta të ndërhyrjes në autonominë e komunave... Po shohim mos përfillje nga qeveria të qindra veprimeve të rëndësishme institucionale të ndërmarra nga ana jonë si shkresa e kërkesa nga të gjitha fushat për të mirën e qytetarëve... Mbyllje me izolim me jashtë, me aleatët tanë, dobësim të faktorit shqiptarë në rajon... A ju kujtohen si erdhën (LVV-ja) në pushtet me premtime se do të bëjnë ndryshime epokale e mrekulli e sipas të gjitha gjasave do të shkojnë duke ia marrë të gjitha të mira këtij vendi, pa i lënë asgjë të mirë, përveç një shkolle të mbrapshtë politike që nuk duhet t’i besojë askush dhe që duhet të braktiset”, ka thënë Latifi.

Kandidatja Saranda Sallteku u shpreh e nderuar që është pjesë e listës së AAK-së në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

“Sonte jam para jush t’ju them se me nder e krenari po garoj për deputete të Kuvendit të Kosovës. Jam e nderuar që në këtë garë zgjedhore të garojë krah për krah me kryetarin më të mirë të Kosovës që na bënë krenarë neve rahovecianëve, Aleancën si parti dhe Kosovën...Kudo që kam qenë kam punuar me përkushtim dhe jam munduar të  ju bëjë krenarë. Na priftë e mbara”, tha ajo.  

Kandidati tjetër, Afrim Dina, ka folur mbi prioritetet dhe kontributin që ai synon për qytetarët e Rahovecit në garën për deputet nga radhët e AAK-së.

“Në jetën time politike kam synuar të jem zë i atyre që nuk e kishin këtë mundësi dhe përherë jam munduar që me tërë qenien time të kryej çdo obligim që më është besuar...Rahoveci edhe në kohë më të vështira iu ka dalë sfidave në ballë dhe në këtë rrugëtim së bashku na priftë e mbara e dalshim faqebardhë’, tha ai.

Ardian Rama ka folur mbi synimet e tij për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Rahovecit si kandidat për deputet.

“Kosova ndodhet në një udhëkryq për të ardhmen e saj. Sfidat janë të shumta, mundësia e zhvillimit të sektorit privat, lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i një administrate efikase dhe të drejtë, por besoj fort se me përkushtim dhe vetëdije do të kapërcejmë çdo pengesë që na del përpara. Si ekonomist kam një vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës, duhet të përqendrohemi te rritja e investimeve, ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të ndërtojnë një të ardhme të tyre këtu... Do të punoj për forcimin e legjislacionit ekonomik dhe mbështetjen e politikave që i inkurajojnë qytetarët për zhvillimin e bizneseve...”, ka thënë Rama.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024