Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, ka prezantuar sonte kandidatët nga Dega e AAK-së në Pejë, të cilët do të jenë pjesë e garës së ardhshme për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ai në fjalën e tij tha se kandidatët për deputet nga Peja janë njerëz të duhur dhe me angazhimin e tyre e meritojnë votën e qytetarëve, teksa ka theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe anëtarësimin e vendit në Aleancën-Veri-atlantike përmes planit aksional.
Kandidati për deputet, njëherësh kryetar i Degës së AAK-së në Pejë, Ali Berisha, ka prezantuar kandidatët për zgjedhjet e ardhshme, për të cilët tha se janë profesionistë të dëshmuar.
“Doktor Arbër Tolaj, Diellza Kukaj, afaristi më i suksesshëm Egzon Kelmendi, sekretari i partisë Gazmend Syla, njeriun që e njeh krejt Peja dhe Kosova Fatmir Gashi, një bashkëpunëtor në luftë të kryetarit Ramush Haradinajt, biznesmen Ramush Ahmeti dhe profesionisti i madh i shëndetësisë Shemsedin Dreshaj...Peja e njeh kontributin e Haradinajt dhe e di kontributin tuaj për çlirimin e Pejës që ajo është kështu si është e bashkuar... në këtë qeverisje, Haradinaj, Peja pret shumë më shumë nga ti, pasi Peja dhe Dukagjini janë aktualisht shumë keq... Peja pret që sa më shpejt që të kryhet autostrada Klinë-Pejë. Peja pret të kryhet një unazë, pasi shumë qytete të Kosovës, Peja që ta ketë një unazë të investuar nga qeveria për shkarkimin e qytetit... Peja është qytet i bizneseve dhe pret nga qeveria e ardhshme që ta ketë edhe parkun e biznesit”, tha Berisha.“Në dorë e kam programin zgjedhor të AAK-së që e kemi shpalosur para një muaji. AAK është partia e parë në Kosovë që ka një program të detajizuar për të gjitha sektorët. Prioritet i parë i qeverisjes Haradinaj do të jetë inkuadrimi në NATO, menjëherë pas saj vjen zotimi për shëndetësinë, pasi Kosova është ndër vendet e rralla që nuk ka sigurime shëndetësi dhe duke pasur përkrahjen e kryeministrit të ardhshëm Ramush Haradinaj, besoj brenda dy vjetësh do t’i implementojmë sigurimet shëndetësore”, ka thënë ai.
Kandidatja tjetër Diellza Kukaj tha se së bashku me ekipin më të mirë të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt do të shkruajnë të ardhmen e ndritur të Kosovës.
“Duke besuar se me Ramushin si kryeministër, do ta bëjmë Kosovën më mirë se sa në Dubaj. Do të krijojmë ambient për investues strategjikë që do të ndërtojnë termocentrale...”, tha Kelmendi.
“Me angazhimin e Haradinajt për integrim në NATO do të krijohen edhe kushte të mira... Degradimi ekonomik ndalet në këtë mënyrë. Atë që e ka thënë Haradinaj, e ka realizuar. Punoni fort që të mund ta ndalim këtë degradim që është i dëmshëm”, tha ai.
Kandidati tjetër, Gazmend Syla, ka thënë se fitorja në zgjedhjet e ardhshme është e nevojshme pasi qeveria aktuale ka degraduar vendin.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe kandidatët Ramush Ahmeti dhe Shemsedin Dreshaj, të cilët kërkuan votën e qytetarëve për fitoren e cila do të sigurojë një qeveri të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndryshe, gjatë ditës Haradinaj u takua me figura të rëndësishme lokale në Pejë dhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe ndau mirënjohje për kontribuuesit e AAK-së dhe u takua me përfaqësues të klubit të futbollit FC Besa Peja, duke theksuar rëndësinë e sportit për rininë kosovare.