Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë - luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare.
Komenti i plotë i Haradinajt:
Zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë - luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.
Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.
Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë.