Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video-emocionuese me ish-ushtarin e UÇK-së, Isak Asllani, duke bërë thirrje për bashkim dhe ndryshim në Kosovë.
Hamza tha se historia e Isak Asllanit, i cili gjatë luftës humbi shtatë fëmijët, bashkëshorten dhe nënën, është një nga plagët më të rënda të luftës së Kosovës dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë.
Ai ka theksuar se në një kohë kur ish-ushtarët e UÇK-së dhe vlerat e luftës po sulmohen me gjuhë fyese e përçarëse, zëri i njerëzve si Isaku duhet të dëgjohet më shumë se kurrë.
“Për hir të këtyre sakrificave, e kemi obligim t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën”, ka shtuar kandidati i PDK-së për kryeministër.
Në fund, Hamza ka shprehur respekt të përjetshëm për Isak Asllanin dhe për çdo familje që, siç tha ai, i dha gjithçka lirisë së atdheut.