Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, e ka prezantuar zotimin e katërt të programit qeverisës, i cili fokusohet në arsimin cilësor, zhvillimin e aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Në një konferencë për media të enjten, Hamza tha se arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar nga qeveria e udhëhequr nga PDK-ja.
Ai tha se kapitali më i madh i Kosovës janë të rinjtë dhe kapacitetet njerëzore, duke theksuar se synim i PDK-së është krijimi i kushteve që ata të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në vend.
Sipas Hamzës, një nga prioritetet kryesore do të jetë digjitalizimi i sistemit arsimor përmes investimeve në teknologji moderne, zhvillimit të platformave bashkëkohore të mësimit dhe avancimit të aftësive digjitale që nga mosha e hershme.“Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimet shkencore dhe do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet prestigjioze evropiane dhe botërore. Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit. E në këtë drejtim do ta themelojmë fondin e bursave për studentë. Për herë të parë, do të krijohet fondi i bursave në lartësi prej 30 milionë euro. Ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo sociale. Rrafsh tjeter ku do të fokusohemi është edhe arsimi joformal dhe kreativiteti rinor. Zhvillimi i një njeriu nuk ndodh vetëm brenda klasss. Prandaj do të mbështesim arsimin joformal, aktivitetet kulturore, artistike, sportive dhe inovative, si pjesë e zhvillimit të gjithanshëm të rinisë sonë. Do të krijojmë më shumë hapsira për kreativitet, inovacion dhe angazhim qytetar, në bashkëpunim me sektorin civil, komunitetin artistik dhe sektorin privat.”, tha Hamza.