Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se do t’i votojnë marrëveshjet financiare ndërkombëtare, porse ka thënë se ky qëndrim nuk ka të bëjë me takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Në një konferencë për media, Hamza tha se këtë qëndrim e ka shprehur që nga data 4 prill në një studio televizive, për çka shtoi se votimi i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare është dakordim mes gjithë grupit parlamentar të kësaj partie.Bedri Hamza tha se situata ekonomikë dhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës është i rënduar dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Hamza i pyetur nëse gjatë takimit Kurti-Krasniqi ishte arritur marrëveshje që Hamza të jetë kandidat për kryeministër dhe që të ketë koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së, tha se nuk bëhet fjalë për koalicion.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti para dy ditësh ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi me të cilin kanë diskutuar edhe mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Kurti ka takuar edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa dhe Donika Gërvallën nga iniciativa Guxo, por ftesën për takim e kanë refuzuar nga LDK dhe AAK. Kurti po kërkon që në zgjedhje të shkohet duke e shpërbërë Kuvendin, me të cilët janë të pajtimit edhe në PDK, por LDK dhe AAK po kërkojnë që së pari Kurti të jap dorëheqje dhe pastaj të shpërbëhet Kuvendi.
https://kosovapress.com/limaj-qeveria-kurti-duhet-te-shkarkohet-jo-te-shperbehet-kuvendi