Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimet e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të bazuar në një interpretim të thjeshtuar të situatës.
Gjatë seancës së thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdari tha se pretendimet për manipulim të faturimit dhe mosmatje të saktë nga njehsorët janë të ngritura si bazë për kërkesën, por sipas saj, realiteti është më kompleks
“Çmimi i energjisë nuk është rezultat i një elementi të vetëm rezultati është një kombinim faktorësh që përfshin importin humbjet në rrjet dhe mekanizmat balancues të tarifave. Prandaj rritja e faturave nuk mund të reduktohet në një pretendim me një manipulim teknik”, tha ajo.
Ajo thotë se kërkesa e PDK-së tenton të reduktojë një sistem kompleks në një narrativë të thjeshtë për manipulim të njehsorëve, ndërkohë që kemi të bëjmë me një realitet më të ndërlikuar, ku faturimi varet nga faktorë të shumtë strukturorë dhe ku çdo problem duhet të trajtohet me prova dhe jo me deklarime politike të përgjithshme
Ajo bën thirrje që sa më shpejt Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë projektligjin për energjinë dhe energjinë elektrike, në përputhje me direktivat e BE-së.