Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka garantuar se të gjithë investitorët që janë në harmoni me legjislacionin e Kosovës do të vijnë në Kuvend për dhënien e statusit të investitorit strategjik. Ajo ka ftuar prokurorinë dhe gjykatën që të hetojnë procesin e “Kosmonte Foods”, duke deklaruar se është tërësisht e pastër.
Ajo këto komente i bëri pas pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Rashit Qalaj, i cili tha se sa herë kanë kontaktuar investitorët. Në lidhje me këtë, Hajdari u zotua se është në kontakt të përditshëm me investitorët.
Hajdari ka thënë se nuk ka asnjë problem gjyqësor sa i përket investimeve strategjike.
“Procesi, i nderuar deputet ka qenë me shantazhe që i është bërë “Kosmonte Foods” duke e futur në probleme gjyqësore, për shkak se nuk i është vazhduar kontrata e marrjes së tokës. Dhe kur kemi hulumtuar me Agjencionin e Pyjeve, vetë zyrtarët që kanë qenë të larguar për korrupsion, ata i kishin shantazhuar duke i hedhur në gjyqësor”, ka shtuar ajo.
“Kosmonte Foods është tërësisht e pastër dhe ju mund të investigoni apo hulumtoni çfarë të doni”, ka deklaruar ajo.
Kuvendi po vazhdon debatin parlamentar për rritjen e çmimeve.