Një grua është lënduar sot në orët e mëngjesit pasi është goditur me veturë nga ish-bashkëshorti i saj në qytetin e Ferizajt. Gruaja në fjalë është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Më datë 17.02.2025, rreth orës 01:30, i dyshuari Sh. R(M/K) 31 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, kishte ndjekur viktimën (ish-bashkëshorten), e cila po ashtu ishte me veturë. Kur kanë arritur në Ferizaj, te Sheshi “Adem Jashari”, i dyshuari e ka goditur automjetin e viktimës, ndërsa të dy ishin në lëvizje. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore. Pas tretmanit mjekësor fillestar në Ferizaj ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë. Për pasojë, në të dy automjetet janë shkaktuar dëme materiale. Lidhur me rastin, është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndihmë mjekësore ju ka ofruar edhe të dyshuarit”, tha Veseli në një përgjigje me shkrim.
Gjithashtu, sipas policisë në të dy automjetet janë shkaktuar dëme materiale.