Alice Camepello ka mbrojtur bashkëshortin e saj Alvaro Morata kundër kritikave të ekzagjeruara nga mediat spanjolle, ndërsa zërat për një lëvizje të mundshme në Milan po intensifikohen.
Morata pritet të startojë për Spanjën në gjysmëfinalen e sotme të Euro 2024 kundër Francës, por ndërtimi i lojës është dominuar nga pretendimet e sulmuesit ndaj mediave spanjolle dhe disa prej tifozëve, raporton KosovaPress.
Fjalët e tij çuan në edhe më shumë kritika nga mediat spanjolle dhe një artikull i “El Confidencial” lëndoi veçanërisht gruan e spanjollit, italianen Alice Campello.
Titulli i artikullit ishte "Morata, një kapiten që vë në siklet Spanjën, jo vetëm për nivelin e tij të dobët në Euro".
“Unë e urrej të luaj si viktimë dhe të shkaktoj polemika, por kjo nuk më duket normale. A është normale kjo? I vetmi nivel i dobët që shoh këtu është ai i gazetarit. Është çmenduri që në vend që të brohorisni një lojtar të ekipit tuaj kombëtar, përpiqeni ta bëni atë të fundoset. Si mendoni se një person mund të japë më të mirën për vendin e tij kur nuk ndjen besim tek ai? Çfarë dëshironi të arrini me këtë titull? Gjeneroni më shumë urrejtje për një person? Secili ka të drejtë të ketë mendimin e tij dhe është i lirë ta shprehë atë, por ka shumë mënyra për t'i thënë gjërat, veçanërisht kur punon për një gazetë dhe mund të influencosh të rinjtë dhe atë që ata mendojnë”, shkroi ajo.
“A e duam vërtet këtë? Ne duhet të jemi njerëz më të mirë dhe të mos i normalizojmë këto gjëra, qoftë për Alvaron apo ndonjë person tjetër. Mos harroni se këta lojtarë kanë një nënë, një baba, një grua dhe fëmijë që duhet ta lexojnë këtë barbari. Kjo gjë në gazetë është vetëm një shembull i thjeshtë i mijëra barbarive të tjera të përditshme. Para se të flasim, duhet të mendojmë se si fjalët tona mund të ndikojnë tek të tjerët. E përsëris: secili është i lirë të shprehë mendimin e tij, por jo të ofendojë.”
Raporti i fundit i “La Gazzetta dello Sport” të martën bëri të ditur se kuqezinjtë i kishin ofruar spanjollit një kontratë në vlerë prej 4 milionë eurosh në vit deri në qershor të vitit 2027.