GLPS ia përmend Kurtit premtimin për riformatizimin e Qeverisë, thekson ngecjet tri vjeçare
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar analizën për qeverisjen tri vjeçare ku ka theksuar ngecjen në politikën e jashtme, reformat në sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kurse, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, GLPS konsideron se reagimi i butë ndaj Serbisë dhe qëndrimi agresiv ndaj Kosovës paraqet një gabim strategjik të bashkësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar të gjithë procesin e dialogut.

Sipas analizës të realizuar, Qeveria Kurti nuk i ka sjellë vendit asnjë njohje të re, derisa është theksuar nevoja për zgjedhje afatgjate, pasi sipas GLPS-së, zgjidhjet afatshkurta dëmtojnë rrugën integruese të Kosovës.

Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, ka listuar të arriturat dhe ngecjet e qeverisjes tri vjeçare të kryeministrit, Albin Kurti. Ajo ka thënë se viti i tretë i qeverisjes vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore. Sipas saj, reformat në sundim të ligjit kanë vazhduar të jenë në krye të agjendës qeveritare edhe gjatë vitit të tretë, duke shtuar se fokus i veçantë i vlerësimit që kanë realizuar është vënë mbi reformën e vetingut të sistemit të drejtësisë, iniciativën për reforminim e kornizës ligjore për sistemin prokurorial, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe strategjinë kombëtare për luftën kundër korrupsion.

Arifi ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur kritika të vazhdueshme mbi tendencën e ekzekutivit për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, përmes deklaratave publike karshi gjyqësorit dhe prokurorisë, për çfarë tha se një nga dokumentet kryesore në fushën e sundimit të ligjit mbetet Strategjia Kombëtare për Sundim të Ligjit 2021-2026.

Ajo po ashtu ka thënë se sa i përket Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim që kur i njëjti projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, që tashmë një vit.

Ndërsa, duke folur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ajo tha se Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

GLPS po ashtu kërkon zbardhje sa më të shpejtë të skandalit i cili rrodhi në media sa i përket blerjes së rezervave shtetërore gjatë këtij viti të tretë qeverisje.

Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla ka kritikuar Qeverinë mbi ndryshim-plotësimet e propozuara për Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP). Stublla po ashtu ka thënë se Qeveria Kurtit II, nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.

Mes tjerash, ajo ka thënë se që nga marsi i vitit të kaluar, dhe veçanërisht pas sulmit në Banjska në shtator, dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë.

GLPS po ashtu thekson se integrimi i qytetarëve serbë të Kosovës mbetet thelbësor, duke shtuar se bie mbi përgjegjësinë e qeverisë për të zhvilluar një strategji që synon integrimin e komunitetit serb të Kosovës, duke ofruar stimuj ekonomikë, socialë dhe politikë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025