Zyrtari i lartë i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Mustafë Kavaja është dëshmitari i dytë që sot po dëgjohet në gjykimin kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna.
Ai gjatë dhënies së dëshmisë së tij deklaroi se aktiviteti për angazhimin e një eksperti është bërë me procedurë të negociuar pa publikim. Dëshmitari, Kavaja deklaroi se këtë procedurë e ka zhvilluar sipas ligjit dhe ka përfunduar me nënshkrim të kontratës nga të dyja palët, raporton KosovaPress.
Ai tha se drejtori i Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha e kishte ngarkuar me dokumentacionin e kësaj procedure të prokurimit.
Prokurorja, Fikrije Zejnullahu kërkoi të di se kush e kishte përcaktuar këtë operator ekonomik në këtë aktivitet të prokurimit, dëshmitari tha se informatat i kishte marr po ashtu nga drejtori i tij, Ymer Dragusha.
Dëshmitari Kavaja tha se ky aktiviteti i prokurimit ka pas garancion të ekzekutimit në vlerën 10 për qind, dhe se për lartësinë e garancionit e ka drejtuar shefes së kabinetit të ish-kryeshefit, Nagip Krasniqi.
“Lartësinë e garancionit iu kam drejtuar shefes së kabinetit së kryeshefit pasi që ka qenë në procedurë të negociuara pa publikim të përcaktoj vlerën e garancionit të ekzekutimit...Prokurorja: A ju kujtohet sa ka qenë...Kavaja: Vlera ka qenë 10 për qind e përcaktuar...prokurorja: Sipas njohurive tuaja në procedurat e mëpërparshme qoftë të hapura apo negociaurara cila ka qenë vlera e garancionit e paraparë nga KEK apo menaxhmenti i saj.....Kavaja: Në atë kohë ka qenë 50 për qind për procedura të hapura”, u shpreh ai.
“Si zyrtar që jam nuk mund të vlerësoj se a ka pas nevojë, kanë vendosur nivelet më të larta...ekziston zyra ligjore”, tha ai.
Ai tregoi se për këtë aktivitet ekonomik kishin marr edhe opinion nga KRPP, për të cilin deklaroi se tani nuk i kujtohet përmbajtja e atij opinioni.
Në seancën fillestare të mbajtur më 15 janarit 2026, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna u deklaruan të pafajshëm. Në këtë rast ishte i akuzuar edhe Ymer Dragusha, i cili ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.
Aktakuza nga Prokuroria Speciale u ngrit më 30 dhjetor 2024. Ndërsa, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, gjykohet edhe në një rast tjetër ku akuzohet për korrupsion po ashtu në Korporatën Energjetike të Kosovës./B.Ibishi