Në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të ftohen edhe 104 dëshmitarë për intervistim, thotë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle. Sipas tij, procesi i gjykimit është në mes dhe se nuk dihet kur do të përfundojë. Lidhur me ankesat për zvarritje të procesit, ai konsideron se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar që procedurat të jenë të shpejta.
Michael Doyle ka qëndruar të mërkurën në Prishtinë, ku ka informuar gazetarët për proceset gjyqësore në Hagë. Në intervistën për KosovaPress, ai flet për ecurinë e gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në intervistën për KosovaPress, Doyle thekson se vështirë është të përcaktohet edhe kur do të përfundojë gjykimi në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë. Në njërën nga seancat e Dhomave të Specializuara në Hagë, ai ka thënë se gjykimi duhet të bëhet në kohë të arsyeshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, zëdhënësi Michael Doyle thotë se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar procedura të shpejta. Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.