Gjykim në Austri ndaj të akuzuarit për planifikim sulmi në koncertin e Taylor Swift
Showbiz
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gjykim në Austri ndaj të akuzuarit për planifikim sulmi në koncertin e Taylor Swift
Taylor Swift
28/04/2026 - 11:29
Linku u kopjua

Në Austri ka nisur të martën gjykimi ndaj një 21-vjeçari, i akuzuar për planifikimin e një sulmi terrorist në një koncert të Taylor Swift në Vjenë, rreth dy vjet më parë.

Sipas autoriteteve, plani ishte parandaluar në kohë, por megjithatë koncertet e paralajmëruara për gusht 2024 u anuluan për arsye sigurie. Vendimi kishte shkaktuar zhgënjim të madh tek fansat, të cilët në vend të koncerteve organizuan tubime simbolike në qytet me shkëmbim byzylykësh dhe këndime kolektive.

I akuzuari, një shtetas austriak 21-vjeçar i identifikuar si Beran A, përballet me akuza për vepra terroriste dhe anëtarësi në një organizatë terroriste dhe rrezikon deri në 20 vjet burg. Ai po gjykohet së bashku me një tjetër të dyshuar, Arda K.

Sipas prokurorisë, Beran A kishte planifikuar të sulmonte turmat jashtë stadiumit Ernst Happel, ku priteshin deri në 30 mijë persona për natë jashtë dhe 65 mijë brenda. Ai dyshohet se synonte të shkaktonte viktima masive duke përdorur thika ose mjete shpërthyese të improvizuara.

Autoritetet thonë se i dyshuari kishte kontakte me anëtarë të Shtetit Islamik dhe kishte bërë përpjekje për të siguruar armë në mënyrë të paligjshme. Në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit të vitit 2024, u gjetën materiale për prodhimin e bombave, pak para nisjes së koncerteve.

Avokatja e tij ka deklaruar se klienti pritet të pranojë fajësinë për shumicën e akuzave, shkruan AP, përcjell KosovaPress.

Taylor Swift më pas reagoi, duke thënë se anulimi i koncerteve ishte “shkatërrues” dhe se arsyeja e sigurisë i kishte shkaktuar “frikë dhe ndjenjë faji” për fansat e saj.

Procesi gjyqësor po zhvillohet në Wiener Neustadt dhe pritet të zgjasë deri më 12 maj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026