Gjykatat kushtetuese mbikëqyrin dhe kontrollojnë kushtetueshmërinë e ligjeve
Lajme
Lexohet për: 7 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Roli i gjykatave kushtetuese është të mbikëqyrin dhe të sigurojnë që të gjitha ligjet dhe veprimet e institucioneve shtetërore të jenë në përputhje me normat kushtetuese.

Kështu u tha në sesionin e dytë të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit me temën “Gjykata Kushtetuese si Gardiane të Vlerave dhe Parimeve Demokratike: Balancimi i Pushtetit Ekzekutiv, Legjislativ dhe Gjyqësor në shtetet moderne”.

Takimi i dytë i Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit ka nisur sot. Pjesëmarrës në këtë forum janë krerë të gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, por edhe ekspertë të sistemit ligjor.

Zëvendëskryetari i Komisionit të Venecias, Martin Kuijer u shpreh se opinionet e Komisionit të Venecias merren si burim nga  Gjykatat Kushtetuese.

Sipas tij lista kontrolluese e sundimit të ligjit është një dokument i rëndësishëm, pasi identifikon elementet kryesore për sundimin e ligjit dhe sundimin e së drejtës

“Gjykatat Kushtetuese e marrin vendimet apo opinionet e Komisionit të Venecias si burim, pra edhe pse ju mund të mos pajtohet gjithmonë me opinionet e Komisionit të Venecias. Lista kontrolluese e sundimit të ligjit është një dokument i rëndësishëm, sepse identifikon elementet kryesore që kanë të bëjë  me sundimin e ligjit dhe sundimin e së drejtës. Pra, përcakton një listë standardesh për të vlerësuar kompatibilitetin me parimet e Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare e ka përdorur në mënyrë sistematike në përgatitjen e raporteve të Komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti për respektimin e obligimeve nga shtetet anëtare për të përcaktuar saktë probleme sistematike në vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Lista kontrolluese ka qenë dhe është një mjet relevant në kohëra ku ne përballemi me  rrëshqitje në sundimin e ligjit, pra ka trende në disa vende ku kemi një mentalitet fituesi i fiton të gjitha”, tha ai.

Zëvendëskryetari i Komisionit të Venecias në fjalën e tij gjatë Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit tha se si Komision ka filluar ta azhurnojë Listën Kontrolluese të Sundimit të Ligjit, për të cilën pret qasje më të gjerë.

“Komisioni i Venecias ka bërë punë në lidhje me participimin apo pjesëmarrjen ka miratuar një check listë lidhur me perimetrin  e çështjeve në mes të shumicës parlamentare dhe opozitës, por personalisht mendoj se mund të bëhet më shumë në këtë sferë. Kohëve të fundit komisioni ka filluar në azhurnuar e listës kontrolluese të sundimit të ligjit dhe unë do të prisja një qasje më të gjerë ndaj çështjeve të trajtuara në listën ekzistuese për të reflektuar në raportin e afërt në mes të sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe për të elaboruar për çështje thelbësore të demokracisë dhe parimet”, u shpreh ai.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Kadis Ozkaya theksoi se gjykatat kushtetuese garantojnë vlerat dhe mbrojtjen e rendit social e demokratik.  Sipas tij detyra parësore e gjykatave kushtetuese është sigurimi i funksionalitetit të kushtetutave. 

“Në shtetet moderne pas Luftës së Dytë Botërore, gjykatave kushtetuese iu dha një përgjegjësi e rëndësishme në garantimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e rendit social demokratik dhe iu dha një rol i rëndësishëm  si mbrojtëse të parimeve demokratike. Arsyeja e ekzistencës së këtyre gjykatave, të cilat kryesisht për detyrë të kontrollojnë kushtetueshmërinë e akteve legjislative dhe ekzekutive është mbrojtja e vlerave, parimeve, principeve dhe dispozitave themelore që përmban kushtetuta. Gjykata kushtetuese u krijua për të realizuar qëllimin e përbashkët  për të mbajtur gjallë popullin dhe shtetin mbi bazën e të drejtësisë… Roli i gjykatave kushtetuese, të cilat janë organe të kontrollit kushtetues nuk mund të mohohen në këtë kontekst, shumica e vendeve demokratike kanë gjykata kushtetuese që kontrollojnë kushtetueshmërinë e ligjeve. Nga ana tjetër ankesa kushtetuese apo aplikimi individual që u mundëson individëve qasje të drejtpërdrejtë në gjykata kushtetuese me pretendimin se të drejtat e tyre kushtetuese janë shkelur është përkrahur gjithnjë e më shumë dhe është bërë pjesë e gjyqësorit kushtetues”, tha ai.

Zëvendëskryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, Valerija Galiq theksoi se roli i gjykatës kushtetuese është të mbikëqyrë dhe të sigurojë që ligjet janë në përputhje me normat kushtetuese. Sipas saj, gjykatat kushtetuese po sfidohen nga politizimi dhe presionet nga pushtetet ekzekutive.

“Gjykatat Kushtetuese luajnë një rol kyç në ruajtjen e parimeve duke ofruar një themel për ruajtjen e rendit kushtetues dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjykatat kushtetuese përbëjnë autoritetet kulminante në interpretimin dhe zbatimin e kushtetutës, funksioni i tyre kushtetues është të mbikëqyrin dhe të sigurojnë që të gjitha ligjet dhe veprimet e institucioneve shtetërore të jenë në përputhje me normat kushtetuese. Ky funksion ka një rëndësi jetike për ruajtjen e parimeve demokratike dhe mbrojtjen e lirive civile sepse mundëson mbrojtjen nga keqpërdorimi i mundshëm i pushtetit. Pra, gjykatat kushtetuese shpesh veprojnë në atë drejtim që t’i mbrojnë këto vlera qoftë prej ligjeve apo politikave jo të drejta kur ekzekutivi të sjellë një vendim, i cili është në kundërshtim me kushtetutën, gjykata kushtetuese kanë autoritetin të shqyrtojnë dhe nëse kanë nevojë t’i prishin këto vendime dhe kjo gjë siguron që asnjë pushtet nuk mund të funksionojë jashtë kornizës që e përcaktuar në kushtetutë dhe me këtë pengohet koncentrimi i pushtetit dhe ruhet parimi i sundimit të së drejtës”, tha zëvendëskryetarja e Gjykatës Kushtetuese në Bosnje e Hercegovinë.

Për rolin e Gjykatave Kushtetuese si gardiane të vlerave dhe parimeve demokratike foli edhe zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Mato Arloviq.

“Deshëm apo nuk deshëm, praktikat e gjykatave kushtetuese tregon se kushtetutat sipas rregullit mund të aplikohen edhe drejtpërdrejt ku kërkohet që ajo të bëhet përmes ligjeve. Në këtë kontekst të rolit të gjykatës kushtetuese gjatë përcjelljes dhe kontrollimit të kushtetueshmërisë dhe vërtetimit të këtyre pasojave mund të jetë shumë domethënëse…Kur vërehen parregullsi kushtetuese ekziston edhe dallimi esencial në mes të aktvendimeve dhe vendimeve që vijnë pranë gjykatës kushtetuese këto vendime që i sjellën gjykatës kushtetuese janë të natyrës së përgjithshme, pra janë obliguese për të gjithë dhe në këtë aspekt kanë edhe fuqi ligjore. Por, raportimet për këto pa kushtetueshmëritë e hetuara ato nuk e kanë karakterin apo natyrën më shumë e kanë karakterin udhëzues dhe tërheqjen e parlamentit apo qeverisë për mos përputhje të mundshme për shkak të vakumit kushtetues e ligjor”, u shpreh ai.

Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit është themeluar më 27 tetor 2023 dhe bashkon gjykatat kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Turqisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

Ky forum profesional është themeluar me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024