Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e djeshëm të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimeve, urdhrave për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Januzi dhe Bahtjari sot u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ndërkohë, njoftohet se gjykatësi i procedurës paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzi dhe Bahtjari më 2 tetor 2023.
“Aktakuza e konfirmuar i akuzon Januzi dhe Bahtjari për: (i) frikësim dhe (ii) përpjekje me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht si dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi. Paraqitja e parë e Bahtjari është caktuar të zhvillohet të hënën, 9 tetor, ora 14:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Paraqitja e parë e Januzi është caktuar të zhvillohet në orën 15:15, po më 9 tetor, në sallën e gjyqit të DHSK-së. Paraqitjet e para do të mbahen në seanca publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe që të akuzuarit të kuptojnë akuzat e paraqitura kundër tyre”, thuhet në komunikatë.