Gjykata Speciale dënon me burgim Shalën, Bahtijarin dhe Januzin
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua
Gjykata Speciale në Hagë i ka shpallur fajtorë Haxhi Shalën, Ismet Bahtijarin dhe Sabit Januzin, nën akuzat për pengim të drejtësisë. Në seancën e mbajtur të martën, Shala u dënua me tri vjet burgim, Bahtijari dhe Januzi me nga dy vjet.
Të tre të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve.
Ata kishin arritur marrëveshje me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në fund të vitit të kaluar, përmes së cilës, kishin pranuar fajësinë.
Kryetarja trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, tha se do t’iu llogaritet koha e qëndruar në paraburgim.
“Zotëri Haxhi Shala dënohet me tre vite burgim, zotëri Sabit Januzi dënohet me dy vite burgim dhe zotëri Ismet Bahtijari dënohet me dy vite burgim”, tha ajo.
Shala ishte arrestuar më 11 dhjetor 2023 dhe ishte dërguar në objektin e paraburgimit në Hagë, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi janë arrestuar më 5 tetor të atij viti dhe prej atëherë ndodhen në paraburgim.
Të akuzuarit, gjatë seancës që u mbajt të martën, deklaruan se do të paguajnë shumën, në total, prej 500 euro për zhdëmtimin e viktimës në këtë rast.
Vitkima identifikohet si “viktima 01”.
“Sa i takon zhdëmtimeve, të akuzuarit do të paguajnë shumën e përgjithshme prej 500 eurosh për viktimën një, pagesat do të bëhen si më poshtë: zotëri Shala do të paguajë 400 euro, zotëri januzi do të paguajë 100 euro dhe zotëri Bahtijari nuk do të paguajë asgjë. Pagesat e këtyre shumave duhet të bëhen jo më vonë sesa të mërkurën, datë 19 shkurt 2025”, tha Foglia.
Pas seancës, prokurorja e Specializuar Kimberly West, e ka përshëndetur pranimin e fajësisë nga tre të akuzuarit si “historik” dhe “me rëndësi kritike për mbrojtjen e integritetit të procedurave” në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ky është rasti i parë që të akuzuarit në Speciale e pranojnë fajësinë.
Në aktakuzën e konfirmuar në korrik të vitit 2023, Shala, Bahtijari dhe Januzi akuzoheshin për bashkëpunim për nxitje të një dëshmitari që të mos dëshmonte në Gjykatën Speciale.
Nuk dihet deri më tash se për cilin dëshmitar bëhet fjalë.
Gjykata Speciale ka shpallur më herët dy vendime të tjera fajësie për pengim të drejtësisë kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt – dy figurat kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.