Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë. Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
“Gjykata vendosi: TË URDHËROJË, me 6 [gjashtë] vota për dhe 1 [një] kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutë së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses të publikuar sot.
Gjithashtu, gjykata tha se “Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës".
Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Vendimin e gjykatës mund ta lexoni këtu.
Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, deri më tash ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Ajo ka dështuar gjashtë herë në votim të hapur t’i marrë 61 votat e nevojshme. Më pas, këto parti insistuan qe kryetari i Kuvendit të zgjedhet me votim të fshehtë por kjo qe kundërshtuar në vazhdimësi nga subjketet e tjera parlamentare.
Kjo u bë pasi që ky institucion mori në shqyrtim dy lëndë që janë kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat kërkuan sqarime për çështjet kushtetuese që lidhen me formimin e legjislaturës së nëntë.
Gjykata Kushtetuese kishte lëshuar edhe më herët një aktgjykim lidhur me çështjen e Kuvendit duke thënë se institucioni ligjvënës duhej të konstituohej në një afat prej 30 ditësh. Deputetët nuk e përfillën këtë vendim për të cilin vetë Kushtetuesja nuk tregoi se cilat janë pasojat e moszbatimit të tij.
Deputetët e zgjedhur janë mbledhur 54 herë nga 15 prilli deri fund të korrikut, por nuk kanë arritur të formojnë trupat e legjislativit pasi procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.