Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka pritur në takim presidentin e zgjedhur, Jakov Millatoviq. Dy ditë para ceremonisë së betimit, Gjukanoviq i ka uruar pasardhësit të tij mandat të suksesshëm dhe që nga pozita e presidentit të kontribuojë në realizimin e interesave kombëtare të vendit.
Gjukanoviq ka thënë se praktika e tranzicionit demokratik të pushtetit është e mirëseardhur në rritjen e kulturës demokratike në Mal të Zi.
"Pozicioni i presidentit në atë politikë është shumë i rëndësishëm dhe me shumë ndikim, besoj se kështu do të jetë edhe në periudhën e ardhshme, besoj se Mali i Zi do të vazhdojë të ecë me sukses në rrugën e zhvillimit evropian”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, presidenti i zgjedhur, Jakov Millatoviq, ka thënë se tranzicioni demokratik i pushtetit është një shembull i mirë për Malin e Zi.
Ceremonia e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Jakov Milatoviq, do të mbahet të shtunën, më 20 maj, në Kuvendin e Malit të Zi, ku pritet të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.