Gjini: Zgjedhjet s'janë treg ku pushteti futet me buxhetin e shtetit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gjini: Zgjedhjet s'janë treg ku pushteti futet me buxhetin e shtetit
ardian gjin1234
23/07/2026 - 14:14
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka shprehur mbështetje për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cila synon sanksionimin penal të shkeljes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimit të parasë publike për qëllime elektorale.

IKD ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një nismë legjislative qytetare, me të cilën kërkon ndryshimin e Kodit Penal.

Instituti propozon që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët publikë të trajtohet si vepër penale, ashtu si edhe përdorimi i mjeteve nga buxheti i shtetit për të ndikuar në vullnetin e votuesve dhe për të krijuar avantazh të padrejtë gjatë fushatave zgjedhore.

Përmes një reagimi publik, Gjini tha se, edhe pse në një demokraci funksionale respektimi i Kushtetutës dhe mos keqpërdorimi i mjeteve publike duhet të jenë standard, abuzimet flagrante të viteve të fundit e kanë bërë të domosdoshëm rregullimin e këtyre çështjeve me ligj.

Ai theksoi se ndarja e mjeteve publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve nuk përbën politikë sociale, por është, sipas tij, një manipulim për blerjen e votave me paratë e qytetarëve.

"Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë", ka shkruar Gjini, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata zgjedhore.

"Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj", ka deklaruar Gjini, duke iu bashkuar mbështetësve të nismës së IKD-së.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, bëri të ditur të enjten, se për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026