Gjilani me njoftim të rëndësishëm para derbit me Dritën
Gjilani dhe Drita do të ballafaqohen të dielën në derbin e kësaj jave në Superligën e Kosovës në futboll.
Klubi gjilanas ka bërë të ditur se e hapur për tifozë do të jetë tribuna qendrore, por vetëm për ata vendas.
“Tribuna qendrore e stadiumit sintetik do të jetë e hapur vetëm për tifozërinë vendase, ndërkohë kërkojmë mirëkuptim për numrin e limituar të personave të cilët do kenë mundësi të pajisen me bileta.”, thuhet në njoftimin e Gjilanit, përcjellë KosovaPress.
Tutje në njoftim është bërë e ditur se po vazhdon shitja e biletave, ndërsa asnjë person nuk do të lejohet afër stadiumit nëse nuk është i pajisur me biletë.
“Biletat mund t'i merrni tek anëtarët e tifo grupit "Skifterat", të cilat do të jenë të personalizuara me emra dhe mbiemra, si dhe do të mbajnë barkodin e veçantë për të këtë ndeshje. Asnjë person nuk do lejohet të afrohet në hapësirat e stadiumit nëse nuk është i pajisur paraprakisht me biletë.”, thuhet në fund të njoftimit.
Derbi Gjilani-Drita zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:00.