Gjilani bëhet me shtatoren e tribunit të kombit Ramiz Cernica
Lexohet për: 3 min.
1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sot në qendër të Gjilanit u inaugurua shtatorja e tribunit të kombit, Ramiz Cernica.

Në emër të kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni, ka folur drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, i cili tha se sot po e nderojnë tribunin Ramiz Cernica, një personalitet të jashtëzakonshëm,  udhëheqës të shquar dhe një kontribuues të pamohueshëm për historinë dhe kulturën tonë.

Ai tha se Cernica ishte luftëtar, patriot e organizator i mbrojtjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ishte pasqyra e rezistencës së shqiptarëve kundër robërisë.

“Në Ditën e Flamurit, së bashku po e plotësojmë mozaikun e pasur historik e kombëtar këtu, në zemër të Gjilanit, edhe me figurën e derdhur në bronz të tribunit të kombit, Ramiz Cernica. Ai e donte tokën e trashëguar nga stërgjyshërit e tij, nuk dorëzohej asnjëherë, përkundër regjimit diskriminues ndaj shqiptarëve, dhe se ishte i bindur se një ditë do ta gëzojmë të drejtën, lirinë tonë dhe bashkimin në tokat tona”, ka thënë Zeqiri.

Në emër të këshillit organizativ ka folur veprimtari Ismet Sylejmani, i cili e ka vlerësuar lart veprën heroike të Cernicës.

“Para 78 vjetësh, heroi legjendar i Kuvendit të Kosovës në Prizren, tribuni Ramiz Cernica, me qëndrimin e tij burrëror në mbrojtje të Kosovës në Parlament, në rrethim me kordon të hekurt ushtarak e policorë të ushtrisë dhe policisë pushtuese jugosllave, ia ka ndërtuar vetes së tij përmendoren në zemër të popullit, por edhe ia ka shkrirë shtatin e tij të derdhur në bronz”, tha Sylejmani.

Në emër të Qeverisë së Kosovës ka folur zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

“Sot, në ditën më të madhe kombëtare të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, po e bëjmë inaugurimin madhështor ashtu siç ishte vetë tribuni e heroi i madh i kombit, Ramiz Cernica. Ai do të qëndrojë mes nesh përjetësisht duke na përkujtuar se ku ishim, çka përjetuam, si rrugëtuam, si rezistuam dhe si luftuam, deri në ditët e sotme të lirisë, pavarësisë e shtetësisë”, është shprehur Syla.

Në këtë ngjarje ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Luan Aliu dhe deputeti i Kosovës Lindore, Shaip Kamberi, të cilët thanë se inaugurimi i shtatores së Ramiz Cernicës është akt i kujtesës dhe i vlerësimit për një njeri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.

Në fund, në emër të familjes ka folur djali i Ramiz Cernicës, Milaim Hoxha, i cili e ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe të gjithë kontribuesit për vendosjen e shtatores së babait të tij.

Ndryshe, me rastin e 28 Nëntorit, në Gjilan janë paraparë të mbahen edhe disa aktivitete kulturore performancë, 28 nëntori dita e pavarësisë, koncerti “Festa e Pavarësisë” - QK ‘Cello Duo”, teatri i qytetit dhe koncerti ‘Urime festa e flamurit’ – AKV Gjilani, teatri i qytetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024