Gjermania nuk është më shtet i fortë, investitorët e huaj po i ikin
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gjermania nuk është më shtet i fortë, investitorët e huaj po i ikin
EU approves German subsidies for renewable hydrogen production
21/05/2026 - 19:08
Linku u kopjua

Gjermania po bëhet gjithnjë e më pak atraktive për investitorët e huaj. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar qëndrojnë më mirë se kryevendi i BE-së në këtë aspekt.

Pengesat kryesore që po ndikojnë negativisht në investimet në Gjermani po dalin të jenë disa faktorë, përfshirë taksat e larta, kostot e larta të fuqisë punëtore, energjia e shtrenjtë dhe burokracia

Kompanitë e huaja njoftuan më pak projekte investimi në këtë vend, për të tetin vit radhazi, duke shtuar shqetësimet për rënien e atraktivitetit të vendit si destinacion biznesi, sipas një studimi të publikuar nga kompania konsulente EY, të cilin e transmeton dpa ndërsa e përcjellë KosovaPress.

Sipas raportit, numri i projekteve të shpallura ra me 10 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke zbritur në 548 projekte, niveli më i ulët që nga viti 2009.

EY, e cila i monitoron këto të dhëna që nga viti 2006, i definon projektet investuese si investime që krijojnë lokacione të reja dhe vende pune.

Gjermania u rendit e treta në Evropë për investime të huaja, pas Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Franca tërhoqi 852 projekte investimi të huaja, ndërsa Britania regjistroi 730 projekte, megjithëse të dyja vendet shënuan rënie më të mëdha në përqindje sesa Gjermania.

Në nivel evropian, investitorët e huaj shpallën 5 mijë e 26 projekte të reja ose të zgjeruara gjatë vitit të kaluar, një rënie prej 7 për qind krahasuar me një vit më herët, sipas EY-së.

Shefi i EY-së në Gjermani, Henrik Ahlers, tha se Gjermania po humb terren ndaj vendeve konkurruese evropiane, të cilat kanë avancuar me reforma si digjitalizimi i administratës publike dhe thjeshtimi i sistemit tatimor.

Sipas tij, në arenën ndërkombëtare është përhapur gjithnjë e më shumë perceptimi se Gjermania nuk po arrin të zbatojë reforma, ndërsa imazhi i saj si një vend i fuqishëm dhe i sigurt për biznes po zbehet, duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen urgjente të masave kundër kësaj situate.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026