Trajneri i Kombëtares së Kosovës Alain Giresse ka folur në një konferencë për media para ndeshjes me Izraelin, e parë për ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Duke folur për grupin ku bënë pjesë Kosova, trajneri francez deklaroi se nuk është grup shumë i vështirë, por që asnjëri prej rivalëve nuk duhet të nënvlerësohet.
Në lidhje me numrin e vogël të lojtarëve të ftuar nga Superliga e Kosovës, Giresse theksoi se atyre nuk iu mungon cilësia, por që kombëtarja për momentin ka nevojë për lojtarë me përvojë ndërkombëtare. Ai shtoi se në një fazë siç është kjo e kualifikimeve nuk guxojmë dhe nuk kemi kohë që t’i provojmë.
Ndërkohë, menaxheri i kombëtares Bajram Shala ka zbuluar se futbollisti Uran Bislimi ka refuzuar të luajë për Kosovën me arsyetimin se për shkak të dyshtetësisë ende nuk e di nëse do të luajë për Kosovën apo Zvicrën. Në të njëjtën situatë, Shala zbuloi se ndodhet edhe Mërgim Berisha.