Me qëllim të fuqizimit të lidhjeve mes mërgatës dhe Kosovës, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar mërgimtarë shqiptarë në Hamilton dhe Otava të Kanadasë.
Në bashkëbisedimin e mbajtur në Otavë, ministrja Gërvalla mori pjesë në hapjen ekspozitës së piktorit Zeqirja Rexhepi, duke e vlerësuar lart kontributin e tij dhe diasporës sonë në ngritjen e imazhit tonë në botë.
Gërvalla u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen e gjerë dhe interesin e shfaqur nga komuniteti i mërgimtarëve në Kanada.
Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e lidhjeve të ngushta me mërgatën dhe nevojën për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Ajo inkurajoi mërgimtarët të angazhohen në jetën politike dhe ekonomike të vendit, duke u dhënë rëndësi të veçantë kontributit të tyre në ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.
Në fokus ishin edhe iniciativat e qeverisë për të përforcuar lidhjet me mërgatën, si Ligji për Diasporën dhe programi për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”.
Në përfundim të bashkëbisedimeve u shfaqën edhe filma si pjesë e javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, në 25-vjetorin e pritjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.