Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar pas akuzave se fjalimi i saj gjatë një forumi në Kroaci ishte skandali i saj i radhës.
Ajo ka postuar pjesë nga fjalimi i saj duke pyetur se cila nga shkronjat e citatit është e pasaktë apo e pavërtetë.
Reagimi i plotë i Gërvallës:
"Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?
I sfidoj publikisht "specialistët", që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë.
Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë.
E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t'iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. I kam pasur vetëm 8 vjet kur më kanë përzënë për herë të parë nga vendi im. Por ata që për 19 vjet me radhë (1980-1999) më privuan nga e drejta për t'u kthyer në vendin tim, madje as edhe sa për të kthyer eshtrat e babait në tokën e tij, janë ata që nuk kanë më vend në Kosovën e lirë.
E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë nga ime do të ishte e tepërt.