Gërvalla nga Vjena: Kërkova përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE
Lexohet për: 3 min.
donika
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Austri, ku bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Gërvalla theksoi se në dy panele të ndara, para homologëve të shteteve pjesëmarrëse, prezantoi qëndrimet e Kosovës mbi sigurinë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella për sundimin e ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe veprime konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Para homologëve nga shtetet pjesëmarrëse, në dy panele të ndara shpalosa qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik si dhe bëra thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Gërvalla.

Ajo gjithashtu ritheksoi mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në kontekstin e agresionit rus, duke theksuar solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën.

“Pashmangshëm diskutuam edhe për agresionin rus në Ukrainë duke vënë në pah mbështetjen dhe solidaritetin e pakusht të Kosovës për Ukrainën”, shtoi ajo.

Në të njëjtin takim, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeostrategjike që kërkon mbështetje politike të menjëhershme.

“Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili ekziston prej një viti, është një dëshmi e mirë se ne duhet ta trajtojmë zgjerimin si një domosdoshmëri gjeostrategjike që ka nevojë për mbështetje politike. Është tani ose kurrë”, tha Fajon.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për aspiratat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi miratimin e një Deklarate që synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

“Në mbledhjen e sotme u miratua Deklarata, e cila synon të inkurajojë vendet fqinje në rrugën evropiane, bazuar në arritjet e tyre, duke afirmuar vlerat e përbashkëta, sundimin e ligjit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë,” deklaroi Radman.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024