Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla deklaroi se krahas rëndësisë së strategjive për deminim, fitorja e Ukrainës kundër Rusisë dhe ndalja e luftës janë vendimtare për paqen dhe stabilitetin në Evropë e më gjerë.
Duke folur mbi rëndësinë e veprimeve ndaj minave në Ukrainë, në konferencën në Lozanë, Gërvalla shprehu përkushtimin për të kontribuar në misionet ndërkombëtare, duke përdorur përvojat e Kosovës në deminimin e zonave të minuara dhe mbështetjen për luftën e Ukrainës ndaj agresionit rus.
"Edhe nëse kjo luftë do të ndalej sot, bashkësisë ndërkombëtare do t’i duhet të merrej edhe për vite të tëra me pasojat e kësaj lufte, me të mbijetuarit, viktimat dhe rindërtimin e Ukrainës. Por lufta nuk po ndalet sot, andaj është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta ndaluar këtë luftë tani," tha ajo.