Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se drafti i Asociacionit i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës, mirëpo theksoi se i njëjti nuk është shumë i mirë pasi ka shumë sfida të cilat duhet të adresohen. Megjithatë, kryediplomatja nuk tregoi nëse BE-ja ka inkorporuar komentet e qeverisë brenda këtij drafti.
Gërvalla para mediave pas raportimit në Komisionin për punë të jashtme në Kuvend, tha se institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë asnjë lloj drafti që është në dëm të vendit.
Përkitazi me këtë, ministrja Gërvalla tha se takime trilaterale në Bruksel nuk mund të ketë, derisa s’ka sinjale të qarta nga BE-ja për të ndëshkuar Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
E pyetur për njohjet e reja, Gërvalla tha se nuk mund të thotë se kur mund të ketë të tilla, mirëpo po angazhohen çdo ditë për t’i siguruar ato.