Gautier: Të zhdukurit plagë që nuk shërohet kurrë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

dita nderE premtja 30 gusht shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Çdo vit, kjo ditë është një mundësi për t'u solidarizuar me familjet e personave të zhdukur dhe për të përkujtuar të afërmit e tyre të zhdukur.

Kanë kaluar më shumë se 25 vjet që nga konflikti i armatosur në Kosovë dhe familjet e mbi 1,600 personave të zhdukur ende presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Koordinatorja Rajonale për Mbrojtje për Ballkan dhe Kryesuesja e Grupit Punues për Persona të Zhdukur në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK),  Aurelie Gautier, tha se duan që familjet e personave të zhdukur ta dinë që nuk janë vetëm, të dashurit e tyre nuk janë harruar dhe se do të vazhdojnë të bëjnë çmos për t'i ndihmuar ato që të marrin përgjigjet dhe mbështetjen që e meritojnë.

Sipas një komunikate të KNKK, ata kanë vazhduar hulumtimin në arkivat ndërkombëtare dhe kombëtare që mund të përmbajnë dokumentacion dhe informata që mund të ndihmojnë në kërkimin, zhvarrosjen dhe procesin e identifikimit të personave të zhdukur.

Një analizë e thukët e këtyre dokumenteve është duke u bërë në vazhdimësi, dhe me të dyja palët, rregullisht ndahen raporte analitike me rekomandime, në përpjekje për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e sa më shumë personave të zhdukur.

“Këtë vit, përveç rifillimit të takimeve në nivel teknik, KNKK ka kryesuar edhe dy seanca pune të Grupit Punues dhe palët janë zotuar për të adresuar disa lokacione të dyshuara të vendvarrezave. Shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje autoriteteve në të dyja anët që urgjentisht të përmbushin angazhimet e tyre, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të rrisin përpjekjet e tyre në zgjidhjen e këtij problemi humanitar që vazhdon të prekë familjet dhe shoqëritë në përgjithësi”, tha Gautier.

Sipas saj, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe shtetet janë të obliguara t'u japin atyre përgjigje dhe mbështetje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024