Spanja është bërë edhe një herë tjetër pengesë që Kosova të mos jetë pjesë e një gare të rëndësishme sportive, që kësaj radhe ishte Kampionati Evropian i Karatesë për seniorë.
Karateistët kosovarë në fakt u pajisën me viza dhe udhëtuan drejt Spanjës, sepse e kishin të konfirmuar pjesëmarrjen atje, por u befasuan në momentet e fundit kur nga shteti spanjoll u njoftuan se nuk do të kenë të drejtë t’i përdorin simbolet e shtetit të Kosovës.
Ai duke folur për KosovaPress, zbulon se çfarë ndodhi me ekspeditën kosovare pak para se të niste kampionati në Madrid, duke e quajtur “të poshtër”, mënyrën se si Spanja ia mohoi Kosovës pjesëmarrjen në këtë garë.
Nga situata e krijuar dhe nga ky vendim i padrejtë, i pari i Federatës së Karatesë, thotë se garuesit u ndjenë tejet të mllefosur e të ofenduar, duke u larguar menjëherë nga salla, sepse ata ishin të përgatitur për të fituar medalje.
“Ka edhe diçka tjetër, është shumë e rëndësishme që ky Kampionat Evropian ishte kualifikues për Lojërat Evropiane që do të mbahen në Poloni. Rrjedhimisht, kushdo që nuk merr pjesë këtu, e ka të pamundur të marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që i bie që karateja kosovare në Lojërat Evropiane, nuk do të ketë përfaqësues, dëmi është i shumëfisht...Ne i kemi pesë garues, të cilët janë në top-ranking të Federatës Evropiane, pretendent për të shkuar në Lojërat Evropiane. Kjo është edhe më e dhimbshme kur dihet se niveli i Lojërave Evropiane është po aty afër me Lojërat Olimpike.”, bën të ditur Gashi.
Në fund, ai shprehet i kënaqur me mbështetjen e Ministrisë së Sportit gjatë ballafaqimit me këtë situatë të vështirë, por potencon se sfidë e kësaj federate vazhdon të jetë aspekti financiar, gjë për të cilën kërkon mbështetje më të madhe për garat e ardhshme./A.Bytyçi