“Le të luajmë futboll korrekt ashtu siç kemi bërë deri më tani”. Kjo është thirrja me të cilën trajneri i Dukagjinit Armend Dallku iu ka drejtuar klubeve të Superligës së Kosovës kur kampionati ka hyrë në dy javët e fundit dhe gara sa i përket sigurimit të një vendi në elitën e futbollit vendor është bërë jashtëzakonisht interesante.
38-vjeçari po e stërvitë intensivisht dhe me përkushtimin më të madh skuadrën e tij para ndeshjes me Llapin në shtëpi, derisa sfidën e fundit në kampionat do ta zhvillojë ndaj Malishevës, skuadër me të cilën janë në luftë direkte për mbijetesë.
“Nëse i referohemi kalendarit nuk diskutohet. Por ky është futboll. Në futboll mund të ndodhin gjëra të paparashikuara kështu që shpresoj që të gjitha ekipet të luajnë futboll deri në fund. Në ndeshjen me Dritën shumica e njerëzve kanë menduar që do të shkojë Dukagjini në Dritë dhe do fitojë dhe e kemi parë se çfarë lufte u bë. Kështu që po shpresoj që të gjitha ndeshjet do të luhen me futboll fer dhe le të mbetet në kategorinë apo kushtimisht në atë fazën e barazhit ai ekip që është paraqitur më dobët…Nëse i referohemi performanës dhe grupit po besoj që Dukagjini ka edhe grupin më të mirë edhe performancën më të mirë nëse i referohemi kësaj fazës së fundit të kampionatit”, tha në fund Dallku.
Madje kryetrajneri i Dukagjinit thotë se në luftën për mbijetesë është edhe kampioni në fuqi Prishtina dhe se nuk pajtohet me mendimin se vetëm skuadra e tij dhe Malisheva janë të rrezikuara për të rënë në Ligën e Parë.
Ndërsa mesfushori ofensiv i Dukagjinit, Altin Merlaku, thotë se skuadra është shumë e motivuar para këtyre dy ndeshjeve jetike në Superligë, por, sipas tij, ndeshja direkte me Malishevën në xhiron e fundit mund të jetë ajo që do ta vendosë fatin e këtij sezoni.
“Motivi është shumë i madh duke e ditur rëndësinë e ndeshjes që e kemi me Llapin. Po besoj që edhe ne, gjithë ekipi dhe qyteti jemi të organizuar mjaftë mirë t’i marrim këto tre pikë dhe të shohim të bëjë një gabim Malisheva ose të vendosë loja e fundit... Të shohim, nëse nuk vendos kjo lojë, do vendosë ndeshja e fundit që besoj që ne e kemi edhe një favor tonin që në rast të barazimit ne i ikim barazhit dhe po besoj që ajo do të ndodhë”, tha Merlaku.
“Duke marrë parasysh nëse Malisheva merr pikë të plota ndaj Gjilanit edhe ne me pikë të plota ndaj Llapit atëherë mbetet që të vendoset në lojën e fundit në Malishevë, por ne jemi të përgatitur. Pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë, ne jemi të përgatitur që edhe në Malishevë të shkojmë dhe të dalim me fitore ose barazim…Malisheva ka individë të mirë aty në ekipin e tyre dhe kanë bërë një grup të fortë, kanë pasur paraqitje të mira në Superligë. Është e vështirë por besojmë fuqishëm në ekipin tonë”, tha Syla.
Ndeshjen me Llapin, Dukagjini e zhvillon të dielën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë me fillim nga ora 15:00.