Sot, Instituti GAP ka publikuar analizën “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, e cila trajton ndikimin e zbatimit më strikt të formulës për buxhetimin e mësimdhënësve në kuadër të grantit të arsimit.
Analiza tregon se nga viti 2026, Ministria e Financave, bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, e ka bazuar financimin e pagave të mësimdhënësve në numrin aktual të nxënësve dhe raportin nxënës–mësimdhënës. Kjo ka nxjerrë në pah mospërputhje të theksuara ndërmjet numrit të mësimdhënësve të paraqitur nga komunat dhe numrit të aprovuar për financim përmes grantit të arsimit.
Për vitin pasues, 2027, është paraparë që numri i përgjithshëm i mësimdhënësve të ulet edhe për 263. Konkretisht, disa komuna do të kenë rreth 463 mësimdhënës më pak në kuadër të grantit të arsimit, përderisa për të njëjtin vit për disa komuna tjera, së bashku, numri i mësimdhënësve planifikohet të rritet për 200.
Në këto rrethana, komunat përballen me dy alternativa: të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit ose t’i mbajnë në punë mësimdhënësit shtesë duke i financuar nga burime vetanake apo nga granti i përgjithshëm. Zgjedhja e alternativës së dytë mund të kufizojë investimet në sektorin e arsimit dhe zhvillimin komunal. Në vlerë absolute, presioni më i madh për mbulimin e pagave të mësimdhënësve “tepricë” apo “mbi normë” bie mbi Gjilanin me mbi 2.5 milionë euro, Gjakovën me mbi 2.3 milionë euro, pasuar nga Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica e Jugut.Prandaj, Instituti GAP vlerëson se komunat duhet të nisin një proces të mirë planifikuar të riorganizimit të rrjetit shkollor dhe menaxhimit të stafit në arsim, të bazuar në të dhëna të sakta për numrin e nxënësve, paralelet, nevojat për kuadro, shpërndarjen gjeografike të shkollave dhe kostot reale të funksionimit. Ky proces duhet të jetë pjesë e një reforme të qëndrueshme për përshtatjen e sistemit arsimor me ndryshimet demografike dhe financiare.