Në kuadër të fushatës së informimit për liberalizimin e vizave, kryeministri Albin Kurti takoi sot komunitetin turk në Prizren, me të cilët bashkëbisedoi dhe ndau informacione për ushtrimin e të drejtës së lirisë së lëvizjes në zonën Shengen nga e cila na ndajnë vetëm 10 ditë.
Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi na dhuron mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.
Në kuadër të saj është gërshetuar edhe kuizi i BE-së për qytetarët, i cili ka mundësuar që një grup të fitojë udhëtimin e parë pa viza më 1 janar në Vjenë të Austrisë.
Fushata e informimit, përveçse në terren, është realizuar edhe në aeroport e pika kufitare, TV/radio e rrjete sociale. Pyetjet e qytetarëve janë drejtuar në numrin e telefonit pa pagesë në 0800 77 001, të lansuar enkas për shpjegimin e rregullave që duhet respektuar nga 1 janari 2024 kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave.
“Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo është arritje e përbashkët, pasi progresi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, tha Kurti.
Fushata e informimit për liberalizim të vizave iniciuar nga Qeveria, ka filluar më 5 tetor në Prishtinë, dhe ka vazhduar në mbi 30 komuna, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.