Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka lëshuar në platformën elektronike për prokurimin publik në Kosovë (e-Prokurimi), njoftimin paraprak për shpalljen e tenderit për furnizim me karburante për institucionet e shtetit.
Sipas këtij njoftimi, procedurat e prokurimit, nëpërmjet të cilave pritet të nënshkruhet kontrata, parashihet të nisin më 17.04.2026.
AQP njofton se furnizimi me karburante është i ndarë në 9 lote dhe rendit institucionet përfituese me vlerat e parashikuara të kontratës:
Në Lotin 1 përfshihet furnizimi me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës, me vlerë të parashikuar rreth 4,975,000 euro.Në Lotin 3 përfshihet furnizimi me karburante për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me vlerë të parashikuar 1,800,000 euro.
Në Lotin 4 është paraparë furnizimi për rezervat shtetërore, gjeneratorët dhe nevojat e energjisë emergjente të institucioneve publike në nivel qendror, me vlerë të parashikuar 3,700,000 euro.
Në Lotin 6, në Prizren, vlera e parashikuar për furnizim me karburante është 675,000 euro.
Në Lotin 8, në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, parashihet furnizimi me karburante me një vlerë 1,510,000 euro.
Dhe, në Lotin 9, në Mitrovicë, furnizimi me karburante është planifikuar në vlerë rreth 710,000 euro.
Ndërkohë, çmimet në tregun e karburanteve kanë pësuar luhatje, por me tendencë rritjeje pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
LDK, me përkrahje të PDK-së dhe AAK-së, ka paraqitur një propozim-rezolutë lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Një gjë e tillë nuk po përkrahet nga LVV-ja.
Por ministrja Mimoza Kusari-Lila, gjatë fjalës së saj në Kuvend më 03.04.2026, tha se heqja e akcizës ose TVSH-së do të ndikonte vetëm te operatorët, por jo edhe te qytetarët.
“Nëse heqim 20 centë nga 37.5 centë akcizë për derivatet, kjo i bie rreth 20 milionë euro. Ndërsa në projeksionet për rritjet buxhetore është paraparë rritja e shtesave për lehona, për fëmijë, si dhe mbrojtja e qytetarëve me pakot për përballimin e inflacionit. Çka po propozoni? Të heqim akcizën? Të ulim TVSH-në?”, tha Kusari-Lila.Më 28 shkurt 2026, SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore të koordinuara kundër Iranit. Regjimi iranian u kundërpërgjigj duke sulmuar baza ushtarake dhe përfaqësi diplomatike në vendet e rajonit, si dhe duke bombarduar edhe objekte të tjera në vendet që konsiderohen aleatë të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, Irani ka vazhduar të sulmojë caqe në territorin izraelit.
Nafta ra nën 100 dollarë për fuçi më 08.04.2026, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi arritjen e një ujdie për armëpushim dyjavor me Iranin, që lidhej me rihapjen e menjëhershme dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Çmimi i naftës është caktuar 1.84 euro për litër, ndërsa i benzinës është vendosur 1.44 euro për litër.