Qëndresa qytetare dhe studentët kanë vendosur dy pllaka varri përpara Ministrisë së Arsimit në shenjë simbolike për zbrazjen e universiteteve. Në një protestë paqësore, me lule në duar, ata janë vënë në rresht duke “bërë homazhe” para ministrisë. Një prej protestuesve, Gevio Tabaku tha se dy pllakat e varrit simbolizojnë mbylljen e degëve, si pasojë e zbrazjes së universiteteve.
Ai shprehet se në universitetet kryesore të vendit po mbyllen degë kryesore. “Matematika që ishte guri i themelit në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ po mbyllet, a dini që gjuha shqipe në universitetin ‘Fan S. Noli’ ka vetëm dy regjistrime, Durrësit po i mbyllet dega e hoteleri-turizmit, askush nuk shqetësohet për fizikën në universitetin e Tiranës. A e pyet veten kjo ministre që studentët s’po preferojnë as degët. Kjo simbolizon Funeralin e dhjetëra degëve. Qëndresa shpreh shqetësimin e braktisjes, rrënimit dhe pakësimit, Shqipëria do të jetë vendi i vetëm, që s’do të ketë nevojë për Ministri Arsimi , se çdo vit pakësohet numri i studentëve në nivelin bachelor. Ky simbol i funeralit ka të bëjë me mbylljen e dhjetëra degëve dhe dështimin e bursave. 71.6% rrezikojnë të mbyllen sepse nuk i frekuentojnë, i frekuentojnë më pak se 10 studentë. Duke qenë se programet prioritare janë jeleku i shpëtimit, nisur nga ky aksion do të ndjekim hap pas hapi që të kuptojmë pse të rinjtë nuk i duan këto programe. Duke përsëritur shifrat në vitin 2022 universitetet do të braktisen, deri në vitin 2030 pritet të ketë 40% më pak”, tha një prej protestuesve”, Gevio Tabaku.
Shqipëria po përballet me një braktisje të madhe të të rinjve, të cilët synojnë shkollimin në vendet evropiane. Veç universiteteve, fenomeni i emigracionit po ndihet edhe në shkolla dhe gjimnaze.
Këtë vit shkollor në banka janë ulur 17 543 nxënës më pak. Rënia më e thellë ndihet më shumë në arsimin 9 vjeçar ku krahasuar me vjet mungojnë 11 146 fëmijë të moshës shkollore 6-15 vjeç, ndërsa në shkollat e mesme numri është ulur me 6400 gjimnazistë.