FSHF del me një vendim të ri për stadiumin Air Albania
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
FSHF del me një vendim të ri për stadiumin Air Albania
air-albania-stadium
21/04/2026 - 10:22
Linku u kopjua

Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të fundit që lidhet me investimet në infrastrukturë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, që do të zhvillohen në Shqipëri.

Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania” , si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.

Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor.

Në bashkëpunim me klubin, FSHF do të realizojë investimin për të transformuar tapetin e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje. Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin Partizani do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial.

Sipas FSHF-së, këto investime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Evropianit U-21 2027.

Punimet pritet të nisin së shpejti, me objektivin për përfundimin në kohë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026