Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në Panelin e Guvernatorëve me temën “SEPA dhe WB6: Një katalizator për konvergjencën me BE-në dhe qasjen në tregun e vetëm evropian”, me ftesë të Guvernatores së Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq.
Gjatë këtij paneli, guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet në Kosovë lidhur me këtë proces, duke theksuar reformat e ndërmarra nga BQK-ja, përfshirë finalizimin e tre ligjeve kyçe dhe mbi 20 akteve nënligjore, të mbështetura nga Banka Botërore, që krijojnë bazën për përputhshmëri me kërkesat e SEPA-s. Ai potencoi se këto veprime janë pjesë e Planit Strategjik të BQK-së dhe janë realizuar në bashkëpunim me institucionet vendore dhe me mbështetjen e fortë të Bankës Botërore dhe bashkëpunimit të shkëlqyer rajonal.
Sipas BQK-së, në diskutimin e tij, Guvernatori theksoi se integrimi në SEPA nuk është vetëm një çështje teknike, por një urë reale drejt integrimit në tregun unik të Bashkimin Evropian, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset – përmes rritjes së transparencës, uljes së kostove dhe lehtësimit të tregtisë dhe lëvizjes së kapitalit. Sipas vlerësimeve, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve për eksportuesit dhe sektorin privat.
“Ai nënvizoi se hapat e ardhshëm kërkojnë investime në infrastrukturën teknike dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar dhe ofruesit tjerë të shërbimeve të pagesave, në mënyrë që Kosova të jetë teknikisht e përgatitur në momentin e anëtarësimit në SEPA. Guvernatori gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe rolin udhëheqës të Bankës Botërore, IFC-së në ofrimin e asistencës teknike, si dhe Bankës së Italisë për projektin kyç si sistemi i pagesave të shpejta TIPS Clone, që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave”, thuhet në njoftim.