Këtë vit në qendër të takimit të Forumit Botëror Ekonomik në Davos janë diskutimet për pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, krizën energjitike dhe një recesion të mundshëm ekonomik në botë.
Të hënën (16.01) fillon punimet Forumi Ekonomik Botëror, në Davos si gjithmonë para një skene dimërore të mbuluar me borë. Lufta në Ukrainë dhe pasojat në ekonomi do të sundojnë edhe këtë herë takimin në alpet zvicerane.
Në takimin 5-ditor që zhvillohet nën moton "Bashkëpunim në një botë të fragmentuar", priten krerë nga 50 shtete të botës. Mes tyre edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez. Priten edhe presidentë të sapozgjedhur si presidenti koreano-jugor, Yoon Suk-yeol, ai kolumbian, Gustavo Petro dhe presidenti filipinas, Ferdinand Marcon Jr. Nga SHBA vjen ngarkuari i presidentit Biden për klimën, John Kerry dhe e ngarkuara për tregtinë, Katherine Tai. Nga Rusia nuk ka asnjë pjesëmarrës. Forumi i ndërpreu marrëdhëniet pas sulmit rus mbi Ukrainë.
Takimi i 53-të në Davos zhvillohet para turbulencave të forta të ekonomisë botërore. Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva paralajmëron, se një e treta e të gjitha ekonomive të botës do të mund të bjerë në recesion këtë vit. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë kanë çuar në ngushtica të mëdha të furnizimit me energji. Megjithëse inflacioni në SHBA dhe Europë duket se ka arritur pikën kulmore, ende ai gjendet në një nivel shumë të lartë. Kjo i detyron bankat e bankënotave të ndërmarrin masa të ashpra. Normat e larta të interesit çojnë sërish në kosto të larta rifinancimi në një fazë të stanjacionit ekonomik dhe shtojnë rrezikun e një krize globale të borxheve.