Me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti dhe Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.
Përmes këtij memorandumi synohet avancimi i inovacionit, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët dhe stafin akademik.
Bashkëpunimi ndërmjet palëve do të përfshijë, realizimin e projekteve të përbashkëta, mundësi për praktikë profesionale për studentët, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe publikimeve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e përvojave në menaxhimin institucional.Me këtë rast, Skender Krasniqi, Kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, i ka ndarë Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij institucioni.
Gjatë vizitës në universitet, përfaqësuesit e Dhomës kanë vizituar edhe Laboratorin STEM dhe Laboratorin e Shkencave Sociale, duke u njohur nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet akademike që ofron UKZ për studentët dhe stafin.