Finlanda ndërton "varrin e parë gjeologjik"
Lexohet për: 3 min.
y54y54
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Finlanda së shpejti do të varrosë karburantin bërthamor të harxhuar në "varrin gjeologjik" të parë në botë, ku do të ruhet për 100 mijë vjet, në atë që konsiderohet një projekt revolucionar për qëndrueshmërinë afatgjatë të energjisë bërthamore dhe një "model për të gjithë botën".

Në një moment të vitit 2025 ose në fillim të 2026, karburanti bërthamor radioaktiv i harxhuar do të paketohet në kontejnerë të papërshkueshëm nga uji dhe do të hidhet në shkëmb 400 metra nën pyjet e Finlandës jugperëndimore. Rezervuarët e qëndrueshëm të bakrit do të izolohen, do të ndahen nga njerëzit dhe do të mbahen nën tokë për mijëra vjet.

Projekti "Onkalo" nisi një debat nëse dikush mund të garantojë sigurinë afatgjatë të mbetjeve bërthamore të shpenzuara dhe në çfarë mase energjia atomike duhet të përdoret në luftën kundër krizës klimatike.

Kompania finlandeze Posiva, e themeluar në vitin 1995, është përgjegjëse për asgjësimin përfundimtar të shufrave bërthamore të shpenzuara në "Onkalo". Kompania është në pronësi të përbashkët të kompanisë së energjisë bërthamore TVO dhe kompanisë së shërbimeve komunale Fortum.

"Përmes projektit 'Onkalo', ne po ndërtojmë një objekt për mbylljen dhe asgjësimin e karburantit të shpenzuar. Dhe nuk është i përkohshëm, është përgjithmonë," tha Pasi Tuohimaa, kreu i komunikimit në Posiva.

Sipas tij, depoja e parë gjeologjike e këtij lloji ka tërhequr interes të madh nga industria për shkak të "rilindjes" bërthamore dhe krizës energjetike që ka mbërthyer Evropën dhe pjesë të Azisë nga mesi i vitit 2021 deri në fund të 2022.

Energjia bërthamore aktualisht siguron rreth nëntë për qind të energjisë elektrike në botë, sipas Shoqatës Botërore Bërthamore.

Për shkak se prodhon emetime të ulëta të karbonit, përkrahësit argumentojnë se energjia bërthamore ka potencialin të luajë një rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë elektrike të shumë vendeve duke reduktuar emetimet dhe varësinë nga karburantet fosile.

Megjithatë, disa grupe mjedisore argumentojnë se industria bërthamore është një opsion më i shtrenjtë dhe më i dëmshëm sesa alternativat më të lira dhe më të pastra.

Profesori i radiokimisë në Universitetin e Helsinkit, Gareth Law, beson se projekti "Onkalo" është një pikë kthese e madhe si për Finlandën ashtu edhe për industrinë ndërkombëtare të energjisë bërthamore.

"Do të jetë depoja e parë që do të marrë karburantin e harxhuar bërthamor dhe do ta asgjësojë atë në një mënyrë që mendoj se do të jetë shumë e sigurt dhe e fuqishme në të ardhmen," tha ai.

Projekti bazohet në të ashtuquajturën metodë "KBS-3", e zhvilluar nga një kompani suedeze e karburantit bërthamor.

KBS-3 bazohet në parimin e barrierave të shumta, ku disa pengesa të dizajnuara synojnë të sigurojnë karburantin e harxhuar bërthamor në afat të gjatë. Në praktikë, kjo do të thotë se nëse njëra nga barrierat dështon, izolimi i mbetjeve radioaktive nuk kërcënohet.

“Siç e kemi parë gjatë 10 vjetëve të fundit, duket se energjia bërthamore është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për marrëveshjen e gjelbër në Evropë, veçanërisht nëse duam të shohim Azinë dhe SHBA të heqin qafe prodhimin e energjisë elektrike fosile”, tha ministri finlandez i Klimës, Kai Mykkänen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024