Finlanda lë të hapur vetëm një vendkalim kufitar me Rusinë
Lexohet për: 3 min.
f3f
1 vit më parë
Linku u kopjua

Finlanda do të mbyllë të gjitha vendkalimet, përveç një në kufirin me Rusinë, në përpjekje për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve në atë vend nordik, njoftoi sot kryeministri Petteri Orpo.

Në nëntor, më shumë se 600 persona pa dokumente të vlefshme udhëtimi të BE-së hynë në Finlandë nëpërmjet Rusisë, duke bërë që Helsinki të mbyllte disa pika kalimesh dhe duke akuzuar Moskën për devijimin e emigrantëve.

Kremlini i mohon këto akuza. Sipas autoriteteve të migracionit, azilkërkuesit vijnë nga një sërë vendesh, duke përfshirë Jemenin, Afganistanin, Marokun, Pakistanin, Somalinë dhe Sirinë.

Ministrja e Jashtme e Finlandës Elina Valtonen tha më herët sot se qeveria po shqyrton mbylljen e disa nga katër pikat e kalimit të mbetura në kufirin e saj me Rusinë apo edhe të gjithë kufirin nëse fluksi i azilkërkuesve nga vendi fqinj vazhdon.

“Ne tashmë kemi marrë masa për mbylljen e pikave kufitare dhe nëse është e nevojshme do të mbyllim edhe më shumë”, tha Valtonen në një intervistë, duke shtuar se mbyllja e të gjithë kufirit është një nga opsionet që qeveria po diskuton aktualisht.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Rusia sigurisht që do të përgjigjet nëse Finlanda mbyllte pikat e mbetura kufitare midis dy vendeve. Megjithatë, ajo nuk tha se cila mund të jetë përgjigja e Moskës.

Valtonen konfirmoi diskutimet e rojeve kufitare finlandeze dhe tha se autoritetet finlandeze kanë prova shtesë se shërbimi kufitar rus po transporton emigrantë në kufi, por nuk pranoi të zbulojë burimet e saj. Ajo shtoi se temperaturat në veri aktualisht po bien në minus 20 gradë Celsius, andaj kalimet janë të rrezikshme nëse emigrantët nuk janë të veshur siç duhet.

Është edhe kërcënuese për jetën të përdorësh mjete të tilla siç po përdor Rusia, tha Valtonen, duke shtuar se Finlanda u përpoq të fliste për këtë me Rusinë, por se Moska deri më tani ka refuzuar të bashkohet me dialogun.

Sot, 52 emigrantë mbërritën nga Rusia dhe aplikuan për azil në pikën kufitare Salla, dhe të paktën 11 e bënë këtë në Vartius në Finlandën veriore, tha shërbimi kufitar.

Finlanda dëbon nëntë diplomatë rusë - KosovaPress

Finlanda akuzon Rusinë se po përpiqet ta destabilizojë përmes hyrjes së emigrantëve të parregullt - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024