Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një vizitë të papritur në Shqipëri këtë javë, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë që kanë zgjedhur vendin ballkanik për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem, sipas “The Financial Times”.
Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Pulias, ku ishte me pushime me familjen e saj drejt portit shqiptar të Vlorës.
“Të tërhequr nga plazhet e tij mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve.
“Hapja e linjave me kosto të ulët për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë rritje”, tha ACI.
Turizmi i huaj në Shqipëri ka lulëzuar që nga viti 2019 ndërsa udhëtimet në disa destinacione tradicionale evropiane si, Italia nuk janë kthyer në nivelet e para pandemisë.
Shumë pushues në Shqipëri janë italianë dhe i kanë shmangur udhëtimet brenda vendit.
Marina Lalli, kryetare e Federturismo, tha se rënia e numrit të turistëve vendas shërben si një kambanë alarmi.
Ministria italiane e Financave tha se ishte duke u mbështetur tek turistët për të rritur produktin e brendshëm bruto (PBB) të vendit në tremujorin e tretë pas të dhënave zhgënjyese të tremujorit të dytë, kur prodhimi u tkurr 0,3 për qind krahasuar me tre muajt e mëparshëm.
Mediet tradicionale në Itali e kanë cilësuar gjithashtu Shqipërinë si destinacionin “trend”, duke i cilësuar plazhet e saj me rërë fildishi si Karaibet e Evropës.
Melonit u shoqërua në udhëtimin e saj të profilit të ulët nga partneri i saj dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare.
Një zyrtar italian tha se Meloni mori pjesë në një darkë të organizuar nga Edi Rama të martën.
Megjithatë, disa media vendase dhe një tjetër zyrtar italian thanë se ajo u kthye në Itali të martën për të festuar “Ferragosto”, një festë kombëtare.
Rama në fillim të kësaj jave e përshkroi Melonin si një “tigër”.
I njohur për stilin e tij konfrontues, kryeministri shqiptar u mburr në rrjetet sociale me foto që tregonin tragete plot me turistë italianë.