‘Filigran Rroki’, përpjekje për ta mbajtur gjallë zejen e vjetër
Lexohet për: 4 min.
rroki-2-090124
1 vit më parë
Linku u kopjua

Është ndër argjendarët më të vjetër me traditë në qytetin e Mitrovicës. Gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, bënë të ditur se dikur së bashku me babain e tij kanë punuar por që në mungesë të kërkesave, është detyruar ta ndërpresë. Rrëfen për interesimin në rënie ndaj këtij profesioni.

Tashmë janë bërë më shumë se një shekull që kur familja Gjoka nga Mitrovica merret me këtë zanat, ndërsa nga një dyqan i vogël në qendër të qytetit, kanë arritur të krijojnë vepra të mëdha. 

Rrok Gjoka, 48-vjeçar, i vetmi nga kjo familje e respektuar në Mitrovicë që po e ushtron zanatin e të parëve për më shumë se tri dekada, thotë se përkundër interesimit të vogël, njohuritë e mjeshtërisë së tij të stolive prej ari dhe argjendi po përpiqet t’i bartë te gjeneratat e reja, duke u siguruar kështu që zeja e vjetër të mos zhduket. 

Ai gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, bënë të ditur se dikur së bashku me babain e tij kanë punuar me filigran, por që në mungesë të kërkesave, është detyruar ta ndërpresë dhe të vazhdojë me rregullimin e stolive nga ari dhe argjendi. 

Argjendari Rrok Gjoka, ka potencuar se tërë këto vite ka punuar me shumë dashuri, duke kryer edhe stoli të veçanta me porosi, në të kundërtën nuk do të mund t’i krijonte ato. 

“Më shumë se një biznes është ruajtja e traditës”, vazhdon ai, duke thënë se me këtë zanat arrinë të mbajë familjen dhe të ketë jetë mesatare. 

Gjoka rrëfen për interesimin në rënie ndaj këtij profesioni, duke bërë të ditur se në familjen e tij të ngushtë pesë anëtarëshe, përveç bashkëshortes e cila i ndihmon shumë, vetëm vajza e vogël, Rea 12-vjeçare, tregon nganjëherë interesim. 

Ndonëse pranon presionin e zhvillimit teknologjik, dhe si rrjedhojë e kësaj shumë modele të stolive më nuk i bënë me punë dore, Gjoka thekson nevojën e vazhdueshme të riparimit të stolive, meqë ato gjatë përdorimit mund të dëmtohen, dhe kjo e mban gjallë tek ai shpresën për ruajtjen e kësaj zeje. 

Sipas tij, fatkeqësisht në Mitrovicë kanë mbetur gjithsej tre ose katër mjeshtër të këtij zanati. 

Stolitë e mahnitshme të punuara deri në detajin e fundit e që të joshin syrin, siç janë figura e Nënës Terezë, Adem Jasharit, shqiponja të veçanta, vathë në formë të syrit dhe të ngjashme, argjendari nga Mitrovica i tregon vetëm përmes fotove në telefonin e tij, sepse origjinalet i ka shitur me porosi. 

Stolitë e tilla, Gjoka preferon t’i punojë me kënaqësinë më të madhe, sepse siç u shpreh ai, ato nuk kanë vetëm funksion të duken të bukura, apo të shërbejnë si dhuratë, por mbartin edhe histori dhe copëza nga e kaluara. 

Gjoka theksoi se mjeshtri i vërtetë i këtij zanati  duhet të shquhet për imagjinatën, të cilën e vë në funksion përmes mendjes, si dhe në koordinim me veprimet e duarve. 

Në fund, pyetjes tonë se sa po arrinë të mbijetojë me këtë zanat, Gjoka i përgjigjet me modesti dhe si në shaka, “argjendarë ka mesatarë dhe të pasur, nuk mund të them se ka të varfër”./A.Damati

 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025