Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas lajmit për vdekjen e talentit të futbollit Leon Syla në moshën 15 vjeçare.
Lajmi u dha të mërkurën nga klubi i futbollit “2 Korriku” dhe FFK sot i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së tij duke e konsideruar si lajm tejet të dhimbshëm dhe humbje të madhe për futbollin kosovar.
Letra e plotë e FFK-së dërguar familjes Syla:
E nderuar Familje Syla!
Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC 2 Korriku, Leon Syla.
Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Leoni.
Sot të gjithë jemi me lot në sy dhe dhimbje në zemër, por shpresojmë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Leonit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për Ju për ta përballuar dhimbjen e madhe.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.