Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, duke dënuar thirrjet në kor kundër Kosovës dhe banderolat provokuese të shfaqura në tribunat e stadiumit të Leskovcit, ku u pa një flamur serb mbi hartën e Kosovës.
Në reagimin e saj, FFK thekson se këto skena janë të përsëritura në stadiumet serbe dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe mesazhe fyese ndaj shteteve fqinje, pa ndëshkim të mjaftueshëm nga autoritetet përkatëse.
Federata ka paralajmëruar se do të paraqesë një notë proteste zyrtare në UEFA, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për aktet e përsëritura që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet e organizatave ndërkombëtare.
Në fund të reagimit, FFK ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si një fitore që “pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar”.