Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë se Serbia edhe njëherë u përpoq të nxisë tensionet para zgjedhjeve në Kosovë, dhe siç vlerëson ai, këtë e bëri sot kur Lista Serbe, gjegjësisht kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut tenstoi të mgjyroste mbishkrimin “I love Mitrovica”, që ishte vendosur nga udhëheqja e kaluar në këtë komunë.
Përmes një reagimi në Facebook, Fetoshi ka thënë se Serbia po vazhdon operacionet e saj kundër integritetit zgjedhor në Kosovë, duke i lidhur zhvillimet e fundit në veri të vendit me ngjarjet që paraprinë samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.
Sipas tij, plani për të dërguar në Tivat persona që do të cenonin sigurinë para samitit u pengua nga autoritetet malazeze, ndërsa pas këtij dështimi, tensionet u zhvendosën në veri të Kosovës.
Reagimi i tij i plotë:(Operacionet e Serbisë kundër agjendës së BE-së dhe integritetit zgjedhor në Kosovë)
Skenari i dështuar i Serbisë për ta lënë në hije samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka vazhduar sot në veri të Mitrovicës me provokimin kundër simbolit të paqes dhe integrimit (I❤︎ Mitrovica), për të nxitur destabilizim para zgjedhjeve.
Për këtë arsye, Aleksandër Vuçiq orkestroi “mbështetjen” nga Maqedonia e Veriut me mesazhe nacionaliste kundër Kosovës, artikuloi qartë objektivin për ta kontrolluar votën e çdo serbi në Kosovë përmes Listës Serbe dhe planifikoi sabotimin e BE-së në Tivat, për ta sfiduar Podgoricën si aleate të NATO-s.
Pamja e kësaj strategjie të Serbisë bëhet edhe më e qartë kur samiti në Tivat dhe konsolidimi i Kosovës vendosen në kontekstin e projektit për “Botën Serbe”.
Nisma e shpallur në prag të samitit nga Macron dhe Merz për ta përshpejtuar integrimin e rajonit në BE dhe propozimi në SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë mesazhe strategjike që pamundësojnë synimet hegjemoniste të Serbisë.
Në një situatë të tillë, orkestrimi i një krize të re në veri duke mobilizuar punonjësit e strukturave ilegale të arsimit e shëndetësisë, është një operacion hibrid që ka për qëllim ta cenojë rendin dhe integritetin e procesit të zgjedhjeve më 7 qershor.