Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Milan Radoiçiqin, duke vlerësuar se ajo përbën një pranim politik të sulmit të armatosur në Banjskë dhe dëshmon mbështetjen institucionale të Serbisë ndaj autorëve të tij.
Në një postim në Facebook, Fetoshi tha se deklarata e Vuçiqit, sipas së cilës Radoiçiq “po kërkohet për shkak të Kosovës e Metohisë, e jo për shkak të krimit”, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si legjitimim i operacionit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Fetoshi argumenton se deklarata e Vuçiqit nënkupton se arsenali i armëve, municioni, pajisjet ushtarake dhe grupi i armatosur i përfshirë në sulmin e Banjskës nuk trajtohen si elemente të një krimi, por si mjete për realizimin e një qëllimi politik.
Në përfundim, drejtori i Institutit “Octopus” vlerëson se deklarata e Vuçiqit konfirmon, sipas tij, lidhjen e shtetit serb me strukturat kriminale në kuadër të strategjisë ndaj Kosovës dhe e cilëson këtë si kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.