Festivali Tipologjik Folklorik Kombëtar po mbahet aktualisht në Libohovë nën autoritetin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.
Eventi folklorik që vjen në edicionin e tij të 15-të këtë vit sjell bashkë grupe nga shumë treva me qëllim evidentimin edhe të qyteteve më vegjël, krahinave me karakteristika të veçanta etnografike kostumeve, riteve tradicionale dhe pasurinë e botës materiale që i shoqëron ato.Grupet pjesëmarrëse po prezantohen me disa prej aseteve të folklorit dhe isopolifonisë së Jugut që nga polifonia e bregut e këngët e Neço Mukës deri tek vajet e rralla të korit të grave të moshuara të Selosë.
Guri Rokaj dhe grupi i tij nga Mallakastra sollën në festival motive të restauruara të kostumeve dhe një grup më të kompletuar në numër artisësh si dhe prurje të dedikuara folklorike.
Grupi i Himarës prej 40 vjetësh përcjell traditën e folklorit qindravjeçar të bregdetit. Katina Beleri marrëse e grupit flet për emocionet që përcjell shumëzërëshi i Himarës.
“Jemi grupi polifonik i Himarës që e përfaqëson këtë zonë prej 40 vjetësh. Në këtë festival sjellim tri këngë, njëra e Neço Mukës, një tjetër këngë të vjetër “Erdhi prilli shkriu bora” dhe këngën e Amazonës që na i kërkojnë përherë,” u shpreh Katina Beleri nga grupi i Himarës.
Përzgjedhja e Libohovës për mbajtjen e eventit të këtij viti ishte në funksion të njohjes të qendrave në dukje të vogla administrative por që janë bartëse burimore të folklorit. Eventi i këtij viti po dallohet për numrin e madh të të rinjve dhe për risjelljen e disa prej motiveve të përcjella që prej mesjetës së vonë. /tch